Më 24 nëntor 2025, në prag të festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit, në Shtëpinë e Shqipërisë në Łódź u organizua aktiviteti kulturor “Albanian Movie Night”, i ideuar dhe i zhvilluar nga Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Łódź, Dr. Paweł Michalak, me pjesëmarrjen e Ambasadës së Shqipërisë në Poloni dhe komunitetit shqiptar.

Në qendër të mbrëmjes ishte shfaqja e filmit “Kolonel Bunker”, një bashkë–produksion shqiptaro–polako–francez, me regji të Kujtim Çashkut, ku luan edhe aktorja e njohur polake Anna Nehrebecka. Filmi u shfaq me titra në gjuhën polake, duke e sjellë më pranë publikut temën e tij historike dhe simbolike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aktiviteti u nderua nga prania e disa personaliteteve të rëndësishme të filmit:
•Kujtim Çashku – Regjisor
•Filip Bajon – Producent
•Andrzej Krauze – Kompozitor i kolonës zanore
•Jerzy Rudziński – Drejtor fotografie

Të ftuarit ndanë me publikun përvoja nga xhirimet, sfidat krijuese dhe rëndësinë e bashkëpunimeve artistike mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë festive, duke u shndërruar në një urë të vërtetë miqësie dhe bashkëpunimi mes komunitetit shqiptar dhe miqve polakë. Pjesëmarrja e Ambasadës së Shqipërisë i dha aktivitetit një dimension ceremonial dhe institucional.

Një element i veçantë i këtij eventi ishte roli i vazhdueshëm i Dr. Paweł Michalak në promovimin e Shqipërisë në Poloni. Konsulli është bërë një figurë kyçe në forcimin e marrëdhënieve kulturore shqiptaro–polake, duke organizuar rregullisht ngjarje artistike dhe kulturore që prezantojnë vendin tonë dhe trashëgiminë shqiptare para publikut polak.

Në këtë rast të shënuar, Konsulli i Nderit uroi komunitetin shqiptar me këto fjalë:

“Në këto ditë të shenjta të 28 dhe 29 nëntorit, uroj me zemër gjithë komunitetin shqiptar. Pata nderin të organizoj në Shtëpinë e Shqipërisë në Łódź, Poloni, Festivalin e Filmit, një mbrëmje që bashkoi artin, kulturën dhe frymën tonë të përbashkët.

Le të na udhëheqë dhe bashkojë gjithmonë drita e flamurit tonë. Gëzuar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!

Me respekt,

Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Łódź, Poloni

Dr. Paweł Michalak.”

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e prezencës kulturore shqiptare në Poloni, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe dialogu artistik për të ardhmen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb