Një shtetas afrikan, emigrant që punon në Shkodër, dyshohet se është plagosur gjatë orarit të punës në një fabrikë.

Në foton amatore, të siguruar nga një qytetar, shihet momenti kur ky person po dilte nga fabrika i dëmtuar, vetëm pak sekonda pas ngjarjes.

Shtetasi afrikan mësohet se ka pësuar prerje të konsiderueshme në trup dhe është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku iu nënshtrua një operacioni.

Sipas burimeve spitalore, shtetasi afrikan ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në dorë dhe këmbë.

Ndërkohë burime nga policia e Shkodrës, bëjnë me dije se ai ishte i punësuar në një fabrikë që operon në të zezë në zonën industriale të Shkodrës, ku punonte prej disa kohësh, ngjitur me shkollën e mesme profesionale “Arben Broci”.

Kjo fabrikë, sipas burimeve policore, merret me prodhimin e kompostove dhe, në mungesë të punonjësve vendas, ka punësuar të huaj nga vendet e treta, si rasti i shtetasit që mbeti i plagosur.

Gjatë një prej proceseve të punës, ai ka pësuar prerje të konsiderueshme në këmbë dhe në krah dhe menjëherë është transportuar drejt spitalit.

Policia e Shkodrës tashmë ka nisur një hetim lidhur me këtë ngjarje të plagosjes në punë të shtetasit afrikan, duke qenë se dyshohet se kjo fabrikë operonte në të zezë dhe në kushte jashtë të gjitha standardeve. Sakaq, autoritetet vijojnë hetimin për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb