Pas publikimit të fotoje nga Sali Berisha, ku shihet Saimir Tahiri në qeli bashkë me Klement Balili dhe Safet Bajrin, ka reaguar drejtoria e Burgjeve.

Në një reagim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehet se ata gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, kanë qenë të gjithë të akomoduar në të njëjtin sektor, teksa shton se nuk ka asnjë shkelje në këtë foto. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, kjo foto është bërë nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, teksa sa i takon ushqimit që ata janë duke e konsumuar në qeli, deklaron se ushqimi shërbehet gjithmonë në dhoma pasi nuk ka një menzë.

Reagimi i plotë:

Sqarim i opinionit publik!

Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjes’.

Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.

Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.

Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.

Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Drejtoria e Burgjeve ju falenderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin, Me respekt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: