Mes kaosit dhe tensionit, Juve-Inter, sfida e parë e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, mbyllet në barazim 1-1. Në “Stadium”, dy ekipet zhvilluan një ndeshje të ekuilibruar, me pak emocione dhe me pak raste për shënim, por fundi ishte “zjarr”, gola, kartonë dhe sherr masiv.
Angel Di Maria vuri menjëherë në provë reflekset e Handanovic, me kapitenin që u zgjat në limite duke devijuar topin në këndore. Simone Inzaghi nuk e preferoi sërish titullar Kristjan Asllanin, por i besojë regjinë Brozivic, ishte pikërisht kroati që kishte rastin me të pastër për zikaltërit në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 83-të, Cuadrado me një goditje të fortë brenda në zonë kaloi Juven në avantazh. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 95-të, Inter fitoi një 11-metërsh për prekje të topit në dorë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Lukaku u tregua i saktë duke barazuar shifrat. Festa e Lukakut u vlerësua si provokim çka solli kartonin e dytë të verdhë. Më pas Cuadrado dhe Handanovic kaluan në përplasje fizike ndërmjet tyre duke u ndëshkuar me karton të kuq.
Tensioni ishte i lartë, ndërsa dy ekipet do të përballen sërish në “San Siro” për të siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Italisë. Mediat dhe opsioni sportiv, të gjithë reaguan për këtë skenë, duke e konsideruar një fund të shëmtuar, ndërsa trajneri Simone Inzagji e konsideroi festimin e Lukakut një keqkuptim, fundja ai feston gjithnjë në të njëjtën mënyrë.
(BalkanWeb)
