TIRANË- Ajo preku majat e klasifikimeve me “Non ti scordar mai di me” dhe u bë mjaft e pëlqyer edhe për publikun shqiptar, ndërsa sot ishte live me ta dhe ndezi sheshin “Shën Tereza”.
Ashtu siç kishte premtuar, Giusy Ferreri elektrizoi kryeqytetin për Natën e Bardhë me ritmet e muzikës italiane, dhe zërin karakteristik, duke mos zhgënjyer mijëra qytetarë që sfiduan të ftohtin për ta ndjekur.
Giusy solli në Shqipëri sukseset e saj, këngët që e kanë shoqëruar gjatë rrugëtimit, pjesë të 5 albumeve të saj, ku do të veçonim: “Novembre”, “Roma¬Bangkok”, “Ma il cielo è sempre più blu” të cilat u pritën mjaft mirë nga publiku shqiptar.
Pak para se të dilte në skenë këngëtarja dha edhe një intervistë, ku shprehej mjaft e lumtur që realizoi ëndrrën e saj. 37-vjeçarja u bë e njohur falë pjesëmarrjes së saj në “X Factor” Italia 2008.
Ajo nuk nguroi të tregojë se për 10 vite ka punuar si shitëse. “Po, për 10 vite, gjatë të cilave gjithnjë kam tentuar të hyj në botën e muzikës. Kam punuar “part-time” si kasiere në një supermarket. Padyshim që ishte një eksperiencë që më ka dhënë shumë. Sot kuptoj edhe më shumë vlerën e asaj që bëj. Ndonjëherë është shumë e vështirë, pasi duhet të udhëtosh shumë dhe jo gjithnjë je në formë, por në fund kupton se ke qenë me shumë fat. Të gjithë profesionet kërkojnë sakrificë, por të rrish në fund të bësh atë që ke dëshiruar gjithnjë, duhet ta konsiderosh veten me fat”.
(ma.ar/BalkanWeb)
