Pas martesës në fushën e gjelbër, një tjetër surprizë speciale vjen nga bardheblutë. Një gjimnaziste e Tiranës ka festuar ditëlindjen e saj të 18-të dhe shokët e shoqet kanë menduar t’i bëjnë një surprizë të veçantë, nisur nga fakti që ajo është tifoze e zjarrtë e ekipit të Tiranës.
Shokët e kanë çuar në fushën ku stërvitej ekipi, kur urimit të tyre i janë bashkuar edhe djemtë e Tiranës. Zëvendëskapiteni i bardhebluve i ka mbajtur tortën me qirinjtë me numrin 18 vajzës, e sigurisht që kjo ditëlindje s’ka për t’u harruar lehtë.
“Një dhurate speciale për tifozen bardheblu. Tifozët bardheblu janë shumë të lidhur me pasionin për Tiranën. Sot, një grup tifozësh kishin menduar të bënin një ceremoni speciale për një tifoze bardheblu që festonte ditëlindjen e saj të 18-të. Pak para se të niste seanca stërvitore, vajza e shoqëruar nga miqtë e saj të klasës ka mbërritur në kompleksin “Skënder Halili” për të marrë aty urimet e të gjithë lojtarëve dhe bërë më pas një fotografi me të gjithë ekipin. E gjithë ceremonia ishte mjaft emocionuese dhe tifozja bardheblu ka marrë në këtë mënyrë një dhuratë për t’u mbajtur mend”, shkruhet në faqen e Klubit të Futbollit Tirana në Facebook.
(m.k/BalkanWeb)
