Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka shprehur dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të infermieres Dëshira Hoxha, e cila ndërroi jetë dje, 26 janar, si pasojë e një aksidenti automobilistik në një zonë malore të Gramshit.
Në një deklaratë zyrtare, Urdhri e përshkroi Hoxhën si një profesioniste të përkushtuar, nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorte e dashur, e cila për pesë vite shërbeu me dinjitet dhe përgjegjësi ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve e bëri atë një figurë të respektuar nga kolegët dhe banorët e zonës.
“Kujtimi dhe veprat e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”, theksoi Urdhri, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e të ndjerës.
Aksidenti ndodhi pasi kamionçina, që po udhëtonte në rrugën Gramsh-Poroçan pranë fshatit Bardhaj, doli nga rruga dhe ra në një humnerë me thellësi 70 metra, duke u rrokullisur disa herë. Për pasojë humbi jetën 43-vjeçarja Dëshira Hoxha, ndërsa u plagosën rëndë mësuesja Albana Boja dhe shoferi Shaban Kotorri, të cilët po marrin trajtim në spital. Policia Rrugore po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.
