Të tjera detaje tronditëse dalin në dritë mbi të kaluarën kriminale të Rakip Gilës, autorit të dyshuar të atentatit të përgjakshëm në lagjen “Qemal Stafa”, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, dhe u plagosën dy persona të tjerë.
BalkanWeb ka siguruar fotografinë e Rakip Gilës, ndërsa mësohet se ai nuk është një emër i panjohur për Policinë. Në vitin 2023, ai ishte arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, pasi në banesën e tij u zbulua një bazë e pajisur me mjete të përdorura zakonisht nga grupet kriminale.
Në atë kohë, policia kishte ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit (atëherë) Rakip Gila, ku u gjetën dhe sekuestruan 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, një kokore metalike, një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme. Gjithashtu, u kap dhe një sasi e lëndës narkotike që dyshohet të ketë qenë kanabis.

Për këtë rast, Gila u procedua për disa vepra penale, përfshirë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
