Nuk ka paqe për tifozët zikaltër, me Inter që vijon periudhën e vështirë edhe në Serie A ku nuk njeh fitore në 3 ndeshje radhazi. Ekipi zikaltër ngec sërish, këtë herë në transfertë përballë Fiorentines, një “X” 1-1 që u festua gjatë edhe pjesë tjetër të Milanos, atë kuqezi. Allegri vijon të mos flas për titull, por tani Milan e sheh veten 6 pikë larg kreut.
Në Franchi, ekipi i Chivu-t krijoi iluzionin se do ta zgjidhin lehtë këtë transfertë, në një kohë ku Pio Esposito-t i mjaftuan vetëm 40 sekonda për të kaluar Inter në avantazh. I shërbyer në zonë nga Barella, me kokë “bomberi” “azzurr” dërgoi topin në rrjetë. Pas këtij momenti, Fiore u zgjua, madje flirtuan me golin e barazimit pak minuta më vonë, por Kean i vetëm në shtyllën e dytë arriti në kohë vonesë duke mos shtyrë dot topin në portën e boshatisur.
Në fraksionin e dytë, Inter ishte më e mirë i vendosur në fushë, por në momentin më përcaktues të sfidës, në minutën e 77-të, Ndour përfitoi nga një top i devijuar keq nga portieri Sommer duke barazuar shifrat ne 1-1. Inter tentoi deri në fund të shmangte këtë hap fals, por bëri pjesën e tij edhe portieri De Gea me këtë të fundit që ndali një goditje të Pio Esposito-s brenda në zonë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që del me një pikë nga transferta përballë Fiorentines duke ndezur edhe një herë garën për titull në Serie A, fakt që kapi dhe faqet e para të mediave në Itali:
“Inter ka humbur. Milan -6, Napoli -7, besojnë”, shkruan La Gazzetta dello Sport.
