Simone Inzaghi është pa diskutim “arkitekti” i këtij Inter, një trajner që po kryen një punë fantastike teksa i ka rikthyer zikaltërit në nivele të larta. Titulli në Serie A këtë sezon është çështje kohë, ndërsa një vit më parë i dërgoi deri në finalen e Champions League. Puna që po bën me Inter nuk ka kaluar në heshtje, pasi sipas Tuttosport, për Inzaghi-n ka një interesim të fortë nga disa prej klubeve më të mëdha në Premier League.
![Tuttosport](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2024/02/tuttosport-1.jpg)
Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, ekipe si Chelsea dhe Man.United po marrin informacione në lidhje me trajnerin zikaltër. Këto dy klube janë të gatshme t’i ofrojnë 8-9 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij. Jo vetëm Chelsea dhe Man.United, edhe Liverpool dhe Barcelona po marrin në konsideratë emrin e Inzaghi-t. Këto dy klube në përfundim të këtij sezoni do të kenë trajnerë të rinj pasi Klopp dhe Xavi kanë njoftuar prej kohësh se do të largohen.
![Inzaghi](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2024/01/inzaghi-scaled.jpg)
Kujtojmë që Simone Inzaghi ka një kontratë me Inter deri në 2025, por drejtuesit e klubit kërkojnë të zgjasin sërish bashkëpunimin me trajnerin e tyre, por ky diskutim do të bëhet vetëm në fund të këtij sezoni.
(BalkanWeb)