Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në ambientet e burgut të Durrësit, ku vuajnë dënimin edhe disa politikanë dhe zyrtarë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar tre telefona celularë iPhone, të cilët rezultonin të ndezur dhe funksionalë. Njëri prej tyre u gjet në posedim të të paraburgosurit me iniciale B.G.
Dy celularët e tjerë, së bashku me një palë kufje bluetooth, janë konstatuar pa posedues në ambientet e institucionit.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, materialet janë referuar te Specialistët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për veprime të mëtejshme hetimore. Në njoftim theksohet se ky operacion është “një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të goditur çdo tentativë për cenimin e sigurisë në institucionet penitenciare”.
Njoftimi:
Stop sendeve të ndaluara në IEVP Durrës
Në vijim të informacioneve të siguruara nga strukturat operative të IEVP Durrës dhe pas analizës së riskut, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ndërmori një aksion të befasishëm kontrolli në këtë institucion.
Kontrolli u zhvillua në orët e para të mëngjesit, në zbatim të Urdhrit Nr. 626, datë 07.04.2026, me pjesëmarrjen e Forcave Speciale të DPB.
Gjatë operacionit u ushtrua kontroll në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucionit.
Rezultatet e kontrollit:
U sekuestruan tre celularë tip “iPhone”, të ndezur dhe funksionalë.
Njëri prej tyre u gjet në posedim të të paraburgosurit me iniciale B.G.
Dy të tjerë, së bashku me një palë kufje “bluetooth”, u konstatuan pa autorë në ambientet e institucionit.
Veprimet e menjëhershme:
* U veçua i paraburgosuri B.G.
* U hartua raporti i incidentit.
* U mbajt procesverbali i bllokimit të sendeve të ndaluara.
* Materialet iu referuan Specialistit të SHKB për veprime të mëtejshme hetimore.
Ky aksion është një tjetër dëshmi e vendosmërisë për të goditur çdo tentativë për cenimin e sigurisë në institucionet penitenciare.
Kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë në të gjitha IEVP-të në rang vendi. Zero tolerancë ndaj shkelësve.
