Komisioneri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se fleta e votimit për zgjedhjet e 11 majit u miratua pas marrjes parasysh të propozimeve, duke përfshirë ato të Marash Logut, përfaqësues i PD-së, për korrektimin e kandidatëve me dy mbiemra.

Ai shtoi se kjo do të sigurojë një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidatëve dhe çdo detaj tjetër që lidhet me ata. Celibashi e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm, pasi për herë të parë fleta e votimit do të jetë gati një muaj para fillimit të fushatës, duke ofruar kohë të mjaftueshme për partitë politike.

“Vendimmarrja e sotme konsistonte në përmbajtjen e fletës së votimit. Si do ishin kandidatët dhe si do shfaqeshin në fletën e votimit. Duke marrë në konsiderate propozimin e zotit Logu do ta miratojmë fletën e votimit për të 12 qarqe, duke bërë këto korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra. Kjo do të jetë përmbajtje e fletës së votimit. Kjo është për Tiranën, ndërsa për qarqet e tjera do të bëhet publike.

Qëndron argumenti për të patur një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidateve dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kandidatët. Ajo që ngelet e rëndësishëm për kandidatët dhe forcat politike është që si asnjëherë tjetër më parë kanë përmbajtjen e fletës së votimit gati 1 muaj para fillimit të fushatës. Ndonjëherë na është dashur që të jetë fleta e votimit edhe në fushatë”, tha Celibashi.

Gjithashtu, ai njoftoi se në javën e parë ose të dytë të prillit do të përfundojë procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit për diasporën, duke siguruar se ata do të kenë mundësinë për të bërë zgjedhjen e tyre pa vonesa.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: