Të rinj nga e gjithë bota janë mbledhur sot në Tor Vergata në Romë për të festuar Jubileun e të Rinjve.

Në këtë festë të madhe paqeje, uniteti dhe shpresës, që u shtri në gjithë qytetin, një pamje që tërhoqi vëmendjen ishte pikërisht flamuri shqiptar, i valëvitur me krenari mes turmës shumëngjyrëshe.

Pamjet e shpërndara tregojnë një atmosferë entuziazmi dhe emocioni, ku muzika, këngët dhe vallet e popujve të ndryshëm ishin gjuha e përbashkët e këtij takimi botëror.

“Jubileu i të Rinjve ishte një festë e madhe paqeje, një moment emocional lumturie dhe bashkimi. Dhe një sukses i madh organizativ për Romën. Mbi një milion të rinj, pasi pushtuan dhe ngjyrosën qytetin këtë javë me këngë dhe valle”, shkroi në Instagram Alessandro Onorato, Këshilltar për Ngjarjet e Mëdha, Sportin, Turizmin dhe Modën në Bashkinë e Romës.

Pjesëmarrja e rinisë shqiptare, e dukshme përmes flamurit kuqezi në zemër të Italisë, është një dëshmi e përfshirjes së tyre në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dhe një simbol krenarie kombëtare që bie në sy mes një komuniteti global të bashkuar përmes besimit dhe shpresës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb