Me shkëlqim dhe përkushtim u kremtua sot Liturgjia Hyjnore festive në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, me rastin e festës së Rrethprerjes së Zotit dhe kujtimit të Shën Vasilit të Madh.

Liturgjia u krye nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, së bashku me Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin, dhe klerikë të Kryepeshkopates.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë, Arkimandriti Ignat Todri, në emër të klerikëve dhe besimtarëve të Kishës Orthodhokse, përcolli urime të përzemërta për 70-vjetorin e Kryepiskopit Joan, duke vlerësuar jetën dhe shërbesën e tij si hierark, bari dhe dëshmitar i besimit në kohë të vështira.

Në fjalën e tij u theksua rrugëtimi i Fortlumturisë së Tij nga vitet e përndjekjes fetare, pjesëmarrja në Kishën e nëndheshme, formimi theologjik, shërbesa shumëvjeçare në Mitropolinë e Korçës, deri te thirrja për të drejtuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Urime dhe bekime përcolli edhe Hirësi Asti, Mitropoliti i Beratit.

Më pas, Kryepeshkopi Joan drejtoi Dhoksologjinë për Fillimin e Vitit të Ri, duke iu lutur Zotit, Krijuesit dhe Zotit të shekujve, që të bekojë vitin e ri dhe popullin e Tij.

Atmosfera festive u pasurua edhe nga përvjetori i 70-të i lindjes së Kryepiskopit Joan, i cili feston ditëlindjen më 1 janar. Në Qendrën Sinodike, pranë Katedrales, klerikë dhe besimtarë morën pjesë në pritjen tradicionale, ku Fortlumturia e Tij bekoi dhe ndau kekun e Shën Vasilit të Madh.

Kryepeshkopi Joan mori urime nga Patriarkë të Kishave simotra, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bajram Begaj, Kryeministri, ministra, deputetë, akademikë dhe personalitete të shquara të vendit.

Rrugëtimi i Kryepeshkopit Joan – nga njohja me besimin në kohën e komunizmit, studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kthimi në Shqipëri për ringritjen e Kishës Orthodhokse, shërbesa 27-vjeçare në Korçë dhe deri te froni i Kryepiskopit – mbetet një dëshmi e gjallë e hirit të Perëndisë dhe e përkushtimit ndaj Krishtit dhe Kishës.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb