Është zbardhur identiteti i shqiptarit 32-vjeçar që humbi jetën katër ditë më parë në një aksident të rëndë rrugor në Itali. Viktima është Leonard Fjora, banues në Marzabotto. Ngjarja ndodhi në autostradën Porrettana, në zonën e Bolonjës, ku makina tip “Volkswagen” që drejtonte u përplas kokë më kokë me një kamion plehrash. Përplasja ishte tepër e fortë dhe mjeti i 32-vjeçarit shpërtheu në flakë, duke u kthyer në një “top zjarri”.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të zjarrfikësve, ambulancës dhe policisë, për Leonard Fjorën nuk pati asnjë mundësi shpëtimi. Trupi i tij u karbonizua, ndërsa procesi i identifikimit zgjati për shkak të dëmtimeve të rënda dhe faktit që dokumentet e tij u dogjën në aksident. Sipas hetimeve paraprake, një nga shkaqet e mundshme të aksidentit dyshohet të ketë qenë moti i keq dhe prania e akullit në rrugë, që e bënte asfaltin të rrëshqitshëm. Policia raportoi se automjeti i 32-vjeçarit ka kaluar në korsinë e kundërt, ku u përplas me kamionin, dhe më pas është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore. Forca e goditjes bëri që makina të ndahej në dy pjesë përpara se të përfshihej nga flakët.

Nuk përjashtohet mundësia që dalja nga korsia të ketë ndodhur si pasojë e rrëshqitjes në asfalt apo nga një manovër e pamatur parakalimi. Dyshohet gjithashtu se i riu mund të ketë humbur ndjenjat pas përplasjes, çka e ka penguar të dalë nga automjeti përpara shpërthimit të zjarrit.

Shoferi 61-vjeçar i kamionit mbeti pothuajse i padëmtuar, por në gjendje shoku, dhe mori ndihmë mjekësore në vendngjarje. Karabinierët e njësisë së Casalecchio po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit. Rruga u mbajt e mbyllur për disa orë dhe trafiku u devijua në akse dytësore, sipas njoftimit të autoriteteve italiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb