Më në fund, Kylian Mbappe bën atë për të cilën u transferua në Madrid, “merr prej dore” Realin në një ndeshje të madhe duke likuiduar Man.City. Në “Bernabeu”, “gjeli” më i famshëm bëri liderin duke realizuar një tripletë të “çmendur”.

Pas vetëm 4 minutash, Mbappe u shkëput shpejt dhe me një parabël të ëmbël kaloi portierin Ederson duke sjell festë në stadium. Mbappe nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 32-të vallëzoi në zonë duke kaluar të gjithë mbrojtësit e City, me një goditje të saktë dyfishoi shifrat.

Pa Haaland dhe De Bruyne, City e kishte shumë të vështirë të reagonte, jo vetëm që nuk e bënë diçka të tillë, por në minutën e 61-të, Mbappe me një goditje kirurgjikale realizoi golin e tretë personal. Në fund, në minutën e 92-të, City ngushtoi shifrat me Nico, por vetëm kaq, pa mundur t’i prishë festën Realit, me ekipin e Ancelottit që fluturon në fazën e 1/8 pas rezultatin të përgjithshëm 6-3.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga Spanja në Francë, për të vijuar në Angli, të gjithë mediat përulen përballë Kylian Mbappe: “Një gjeni, një kampion”, shkruan AS në faqen e parë.

E shijon në maksimum këtë kualifikim Carlo Ancelotti: “Kemi zhvilluar shumë përballje të mëdha me Man.City. Ky kualifikim na jep më shumë motivim. Mbappe? Është shumë i qetë, kishte nevojë për këtë tripletë. Është përshtatur mirë, e ardhmja më të do të jetë më pozitive”, theksoi Ancelotti.

Nuk e fshehu zhgënjimin për këtë eliminim Pep Guardiola: “Fakti që e mbyllëm fazën e parë në vendin e 22-të do të thotë se nuk kemi qenë të zotë. Ky është viti ynë më i keq. Sot fitoi ekipi më i mirë, kishim përballë Realin më të mirë të viteve të fundit. A është ky për ne fundi i një cikli? Mbase. Asgjë nuk është e përjetshme. Gjithsesi, nuk më mungon dëshira për të vijuar përpara”, u shpreh Guardiola.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb