5 gola të shënuar, një penallti e dyshimte, një gol i mohuar, por në fund festa ishte e gjitha për Real Madrid, me ekipin e Ancelotti-t që triumfoi 3-2 në “El Clasico” duke prekur me njërën dorë titullin kampion. Ky ishte shansi i fund për Barcelonën për të rihapur sadopak garën për titullin, por në fund largohen me mllef, Xavi dhe të besuarit e tij ndihen të vjedhur në këtë përballje. Brenda pak ditësh ekipi balugrana e sheh veten jashtë çdo objektivi, por duke ia faturuar trupës arbitrare dështimin e tyre.

Sfida nisi me gol, që në minutën e 6-të, me Christensen që me kokë dërgoi topin në rrjetë. Reali reagoi shpejt, me Vazquez që fitoi një 11-metërsh në minutën e 18-të, me lojtarët blaugrana që protestuan jo pak. Nga pika e bardhë e penalltisë, Vinicius Jr u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1. Momenti më i dyshimtë i këtij takimi erdhi në minutën e 28-të, ku Yamal devijoi një top nga goditja e dënimit, me Lumin që largoi në vijën fatale, gjyqtari i takimit mori pak kohë, por në mungesë të “goal line”, vendosi të mos e akordoj gol, duke bërë që në Spanjë të shpërthejnë polemikat.

Ritmi i lojës mbeti i lartë, në pjesën e dytë, në minutën e 69-të, Lopez dërgoi  topin në rrjetë duke rikthyer Barcelonën në avantazh. Reali iu kundërpërgjigj shpejt, në minutën e 73-të, Lucas barazoi rezultatin në 2-2. Nuk ishte e thënë që kjo sfidë të mbyllej këtu, pasi në shtesë, në minutën e 91-të, Bellingham ndoqi mirë një zbritje të Realit në sulm duke dërguar topin në rrjetë, një gol tre pikësh që afron ekipin e Ancelotti-t gjithnjë e më shumë me titullin kampion, 9 pikë plus Barcelonës 6 javë përpara fundit janë shumë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Atmosfera ishte e ndryshme në të përditshmet spanjolle. “Kampion virtual”, shkruan AS. Titulli i përzgjedhur edhe nga Marca. “Ishte gol”, shkruan Mundo Deportivo në faqen e parë. “Një gol fantazmë, mori fund gjithçka”, ishte titulli kryesor i Sport.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb