5 gola të shënuar, 2 traversa dhe shumë spektakël. Jo në kushtet e tyre perfekte, por Man.City-Real Madrid nuk zhgënjyen as këtë herë, dhuruan një super sfidë, ku në fund siç është bërë shpesh traditë, triumfoi Real Madrid. Ekipi i Carlo Ancelotti vërtetoi edhe një herë se në Champions transformohen totalisht, përmbysën dy herë Haaland me shokë duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për më tej pas suksesit 3-2 brenda në “Etihad”.
Të shtyrë dhe nga publiku, me këta të fundit që i rezervuan një banderolë pikante, ironike ndaj Vinicius jr dhe garës për “Topin e Artë” të fituar nga Rodri, City kaloi në avantazh në minutën e 19-të, me Haaland që “çmontoi” Realin në zemër të mbrojtjes.
Pjesa e parë solli dhe dy raste të pastra për gol, dy traversa. Fillimisht ishte Vinicius që u ndal në shtyllë, ndërsa më pas të njëjtin fat pati edhe Haaland. Pjesa e dytë ishte akoma më spektakolare pasi fillimisht Mbappe me një veprim akrobatik, por dhe me pak fat, arriti të dërgojë topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.
Në minutën e 80-të, Foden fitoi një 11-metërsh, ndërsa nga pika e bardhë e penalltisë, Haaland u tregua i saktë duke rikthyer edhe njëherë “qytetarët” në avantazh. Festa nuk zgjati shumë pasi 6 minuta më vonë, Brahim Diaz me një goditje të saktë brenda në zonë barazoi rezultatin në 2-2.
Në minutat e fundit, minutat e Realit, ekipi Ancelotti kapi “mat” City me një zbritje të shpejtë në sulm, ku Jude Bellingham përfitoi nga një top i futur në zonë nga Vinicius, me mesfushorin anglez që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë duke i dhuruar Realit fitoren.
Festa ishte e madhe edhe në mediat spanjolle për këtë triumf të Realit në ishull: “Kështu fiton Reali”, shkruan AS. “Bravo Madrid”, ishte titulli i përzgjedhur nga Marca.
Në ishull, mediat iu bashkuan te një personazh, Jude Bellingham: “Puthja e vdekjes” apo “Kampioni i ferrit”, ishin disa nga titujt më pikant.
(BalkanWeb)