FOTO+VIDEO/ Protesta për UÇK në Tiranë bën bashkë PDK e LDK, por jo Vetëvendosjen. Pse mungoi Rama dhe Berisha…
17 Tetor, 2025 20:00
Madhësia e tekstit:
Protesta e sotme mbarëshqiptare që u organizua në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të udhëheqësve të UÇK-së bëri bashkë përfaqësues të opozitës së Kosovës, PDK e LDK, por nuk arriti të bashkojë në një qëllim Vetëvendosjen me spektrin tjetër politik dhe Tiranën zyrtare.
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK për komunën e Prishtinës Përparim Rama, deputetja e PDK Ganimete Musliu, Daut Haradinaj i AAK, Ramiz Lladrovci i PDK dhe kryetar i rikonfirmuar i komunës së Drenasit, ishin të pranishëm në tubimin madhështor. Endrit Thaçi, djali i ish-komandatit të UÇK, Hashim Thaçi ndodhej në krye të tubimit së bashku me politikanët e tjerë nga Prishtina dhe Tirana. Ndërsa nuk munguan dhe politikanë të majtë e të djathtë, këta të fundit “thyen” dhe urdhrin e bojkotit të PD, siç ishte deputeti demokrat Bujar Leskaj.
Ndërsa deputetët socialistë u shprehën se do të jenë të pranishëm në protestën për UÇK jo si politikanë, por si qytetarë.
Nga ana e mazhorancës, mes liderve kosovarë u shfaq dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kandidatja e PS për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme vendore, Ogerta Manastirliu, ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ish-deputeti Denis Deliu dhe kryetari i Bashkisë së Lezhë Pjerin Ndreu.
Në seancën e së enjtes, Kuvendi u përfshi në debate e akuza mes deputetëve të PD dhe PS për kërkesën e PD për mocion me debat mbi njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se Shqipëria duhet të kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb.
Berisha akuzoi Ramën se protesta e së premtes në Tiranës për UÇK ka nuanca kundër qeverisë së Kosovës, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka deklaruar se Rama nuk do të marrë pjesë në protestën për UÇK pasi nuk dëshiron ta politizojë.