SHKODËR

Policia e Shkodrës ka arrestuar një 49-vjeçar pasi qarkullonte me armë zjarri me vete. Arrestimi erdhi pas kontrolleve të befasishme që policia e Shkodrës po kryen ditët e fundit.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte në qytet me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Lagje Perash”, kanë ndaluar shtetasin Isuf Isufi, të cilit gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Isuf Isufi, 49 vjeç, banues në lagjen Ajasëm, Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: