Deputeti demokrat Asllan Dogjani ka dhënë alarmin sonte në seancën plenare duke deklaruar se një tjetër avion me drogë është ulur në Gjirin e Lalëzit.

Menjëherë ka reaguar Policia e Durrësit, e cila pohon se avioni ka qenë me turistë, duke dhënë edhe itinerarin. Sipas policisë, avioni ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit por nuk është ulur.

Po kështu policia deklaron se avioni kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil.
“Një avion sportiv turistik ka fluturuar nga ora 16:00 deri në 17:00 mbi Gjirin e Lalzit
Shërbimet e policisë kufitare kanë ndjekur avionin nëse do ulej në Gjirin e Lalzit, por nuk është ulur. Avioni sportiv kishte plan fluturimi të miratuar nga Aviacioni Civil. Avioni kishte itinerar Rinas-Gjiri i Lalzit- Rinas, por pa ndalesë në Gjirin e Lalzit. Gjithë autoritete policore kanë qenë në gatishmëri nëse avioni do ulej por avioni nuk është ulur në asnjë vend”, deklaron Policia e Durrësit.

Deputeti Asllan Dogjani tha në seancë se një avion është ulur në Lalëz por duke iu referuar rrjeteve sociale.
“Një avion në Lalëz sapo u informuam me foto në rrjetet sociale. Avioni tjetër para ca ditësh, pista në Durrës. Në njërën anë procedohen fëmijë me pak gram hashash dhe në anën tjetër qeveria krenohet me statistika dhe droga derdhet lumë”, deklaroi Dogjani.

Ndërsa në një lidhje telefonike ai ka konfirmuar se informacionin e ka marrë në rrjetet sociale dhe nga praktika ka dhënë ‘lajmin’ në parlament.
“Unë pashë në rrjetet sociale një avion që ishte hedhur. Iu referova asaj që pashë në rrjetet sociale. Duke u nisur nga praktika, informacionet dhe rasteve të ndryshme. Nuk kam informacion tjetër”, ka thënë Dogjani.

NJOFTIMI I POLICISE:
Më datë 13.10.216, rreth orës 16:00-17:00, shërbimet e Rendit, në zonën e Gjirit të Lalëzit kanë konstatuar duke fluturuar një avion të vogël, tip sportiv.

Drejtuesi i avionit ka bërë një fluturim në këtë zonë dhe më pas është kthyer në drejtim të Rinasit.   Pas verifikimeve të kryera është konkluduar se avioni i përkiste një  shoqërie ajrore private  dhe ka pasur leje fluturimi në këtë hapësirë nga Autoriteti  i Aviacionit  Civil Rinas.

Sqarojmë opinionin dhe disa media online qe kane hedhur dyshime mbi itenerarin e mjetit fluturues se avioni nuk është ulur për asnjë moment në hapësirën tokësore dhe destinacioni i fluturimit ka qenë Rinas-Gjiri i Lalëzit- Rinas, duke respektuar lejen përkatëse të fluturimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb