Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë qëndrimit në New York në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Në foton e publikuar nga presidentja Osmani janë të dy çifte presidenciale

Në një postim në rrjete sociale, Osmani ka deklaruar se takimi i planifikuar si protokollar është shndërruar në një bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore, me theks të veçantë mbi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në Kosovë dhe rajon.

“Faleminderit Presidentit Trump për interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe!”, ka shkruar presidentja Osmani.

Ajo theksoi se miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm i shtetit të Kosovës.

“Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-të, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në Nju Jork ku po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më 23 shtator, në pritjen e organizuar nga presidenti Trump, Osmani u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb