TIRANË- Një nga politikanët e rinj dhe aktiv në Partinë Demokratike ka fituar çmimin “Politikani i Ri i Vitit”. Ai është Ervin Salianji, që aktualisht mban postin e Sekretarit për Aksionin Qytetar në selinë blu.

Organizata të financuara nga qeveria e Suedisë, UNICEF etj si: Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) në bashkëpunim me Lidershipin e të Rinjve të Tiranës dhe CRCA Shqipëri, mbështetur nga Olof Palme International Center, në muajin Tetor të këtij viti, hapi Thirrjen për Nominime në kuadër të nismës “TË RINJTË E VITIT 2016 NË SHQIPËRI”.

Nisma “Të Rinjtë e Vitit 2016 në Shqipëri” synonte që vetë të rinjtë të identifikonin, rendisnin dhe vlerësonin publikisht të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria që më së miri përgjatë vitit 2016 kanë sjellë një ndryshim të matshëm në shoqërinë dhe komunitetet ku ata jetojnë, në shkollat dhe universitetet ku ata studiojnë apo vendin e punës ku kontribuojnë. Përmes kësaj thirrje u ftuan të gjithë partnerët dhe individët e interesuar që të nominonin me propozimet e tyre të rinj që kanë dhënë kontributin e tyre.

Përgjatë periudhës Tetor-Nëntor 2016, kanë aplikuar dhe janë nominuar 97 të rinj të moshës 15 deri në 30 vjeç, nga e gjithë Shqipëria! Pas fazës së parë të nominimeve dhe aplikimeve, organizatat anëtare të Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë dhe Lidershipit të të Rinjve të Tiranës vendosën dhe përzgjodhën së bashku 21 të rinj, bazuar në nismat dhe rezultatet e arritura prej tyre në komunitetet përkatëse, sipas 3 kategorive të sipërpërmendura. 21 të rinjtë e përzgjedhur janë kryesisht të rinj që me nismat e tyre kanë fuqizuar komunitetet ku ata jetojnë, sidomos ato më të margjinalizuara, të rinj që kanë nxitur krijimin e lëvizjeve lokale apo kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, kafshëve, fëmijëve, të rinjve, grave apo të moshuarve!

Prej datës 2 dhjetor 2016 deri në datën 15 dhjetor 2016, ora 12:00 pm, të rinjtë e të rejat dhe publiku i gjerë nga e gjithë Shqipëria votuan online për të zgjedhur fituesin e çmimit Kombëtar “Politikani i Ri i Vitit 2016 në Shqipëri”

Ervin Salianji si sekretar i aksionit qytetar në PDSH ka qenë i përfshirë përgjatë gjithë vitit në tematikat më të rëndësishme që kanë prekur shoqërinë shqiptare duke pasur një qasje tjetër ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Salianji gjatë vitit ka qenë i pranishëm në qindra protesta në gjithë Shqipërinë duke i dhënë zë problematikave të qytetareve dhe duke instaluar një model tjetër politik që po ndjek opozita në këtë periudhë, duke i dhënë zë shqetësimit në publik por dhe duke propozuar alternativë. Denoncimi në mes të parcelave me kanabis të vendit, futja në mes të mbetjeve për të kundërshtuar ligjin e importit të plehrave, apo aktivizimi në çështje të thella sociale kanë bërë që Salianji të votohet në masë të madhe në Sondazhin online.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb