Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së 27-vjeçares Sibela Abedini ka marrë një rrjedhë të ndërlikuar dhe tronditëse, duke sjellë zhvillime të njëpasnjëshme që kanë thelluar misterin dhe dhimbjen rreth kësaj historie. Fillimisht, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Altin Çokut, 39 vjeç, i dyshuar për shpërndarjen e një fotografie intime të të resë, veprim që sipas Prokurorisë i shkaktoi asaj një gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, duke e çuar drejt aktit ekstrem.

Edhe pse Çoku i mohoi akuzat, duke pretenduar se fotografia ishte publikuar nga një person tjetër, provat e administruara – përfshirë telefonin e tij dhe mesazhet e viktimës që i kërkonte vazhdimisht ta hiqte imazhin, bindën gjykatën për ta lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Sibela Abedini humbi jetën pasi u hodh nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. Ajo ishte nënë e një vajze 2-vjeçare dhe kishte kaluar një periudhë të vështirë personale, duke u kthyer pranë familjes së saj pas problemeve bashkëshortore.
Ndërkohë, familjarët pretendojnë se Sibela nuk është vetëvrarë, por është vrarë.

Sipas tyre presioni psikologjik, dhuna morale dhe një formë e vazhdueshme persekutimi çuan në tragjedinë e rëndë, duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj Altin Çokut dhe duke kërkuar drejtësi të plotë.

Ngjarja mori një tjetër kthesë pas vendimit përfundimtar të gjykatës, e cila e dënoi Altin Çokun me 6 vite burg për “shkaktim vetëvrasjeje”, duke e konsideruar përgjegjës për pasojat fatale që erdhën pas publikimit të materialit intim.

Motra e Sibelës, Renata, në një komunikim të drejtëpërdrejtë në “Me Zemër të Hapur”, me autoren dhe moderatoren Evis Ahmeti, ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë.

“Ishim në shtëpi, unë mami motra dhe mbesa. Mami ishte në gjumë, unë dhe motra jo. Po rrija në telefon ndërsa Sibela po pinte cigare e merzitur. E pyeta çfarë kishte më tha më mirë do të bëhet. Mori një cigare dhe doli ta pinte në korridor por po vonohej. Vëllai erdhi dhe më pyeti ku është motra pasi nuk e kishte parë në korridor. Kur dolëm pamë trupin e saj poshtë, aty ishin mbledhur shumë njerëz.
Ajo foto ishte montazh, motra ime ishte e dobët, nuk ishte e shëndoshë. Edhe flokët i ka pasur të zeza, jo si në fotoi. Ajo në foto nuk është Sibela.
Kur e gjetwm, ishte gjallë merrte frymë, ishte e gjakosur, nuk fliste dot por vetëm qante nga dhimbjet që kishte”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb