Edhe pse sinjali i transmetimit të News24 është ndërprerë përkohësisht pas veprimeve arbitrare të Policisë së Shtetit dhe përfaqësueve të kompanisë “KAYO”, televizioni më i madh informativ është sërish prezent në shtëpinë e teleshikuesve.
Shqiptarët vazhdojnë ta mbajnë ekranin tek kanali i News24, në një akt të heshtur solidariteti dhe mbështetje për median që po cenohet arbitrarisht nga agresioni i paprecedentë i Policisë së Shtetit. Ky gjest besnikërie tregon besimin dhe lidhjen e fortë që teleshikuesit kanë ndërtuar ndër vite me një media të lirë dhe të pavarur, që u ka qëndruar pranë në çdo moment, duke u bërë zëri i vërtetë i tyre.
I gjithë ekipi i News24, BalkanWeb, Panorama Tv, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare përshëndet me mirënjohje teleshikuesit besnikë dhe i siguron se do të rikthehet shumë shpejt pranë tyre, edhe më i fuqishëm, për të pasqyruar realitetin me profesionalizëm, pavarësi dhe përkushtim maksimal.
(BalkanWeb)
