200 banorë dhe biznese që operojnë në bulevardin “Epidamn” në Durrës protestojnë kundër prishjes së godinave ku ata qëndrojnë, zonë në të cilën do të zbatohet projekti “TID” nga AADF.
Banorët protestojnë para Kuvendit kundër shpronësimeve, për shkak të vlerës së ulët të ofruar nga Bashkia Durrës, duke kërkuar shpronësime me vlerën e tregut, që në zonën e parkut arkeologjik arrin 3000 euro për metër katror.
Me 10 shkurt Bashkia Durrës i dërgoi një projektvendim Këshillit Bashkiak, për të miratuar një bonus qiraje për banorët që preken nga projekti “TID”, kërkesë që u kundërshtua me forcë nga pronarët e banesave dhe bizneseve.
Sipas banorëve, akordimi i bonusit të qirasë është tallje me ta. Për shkak të rezistencës së qytetarëve, këshilltarët opozitarë braktisën sallën e mbledhjes dhe projektvendimi për bonuset e qirave nuk u miratua.
Si pjesë e qendrës historike, bulevardi “Epidamn” do t’i nënshtrohet një projekti rijetëzimi të njohur si TID Durrës, i cili po realizohet përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.
Banorët e bulevardit “Epidamn” kanë kryer kallëzim edhe në SPAK ndaj AADF, ish-ministres së kulturës Elva Margarti, si dhe ndaj ministrit aktual Blendi Gonxhja.
