Një mesazh për kryeministrin Edi Rama është shfaqur përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku studentët dhe qytetarët vijojnë protestën në ditën e 13-të të revoltës kundër qeverisë.

Protestuesit kanë vendosur përpara forcave të policisë një pankartë me mbishkrimin: “Rama, zgjidh: Ose arrest në shtëpi, ose në qeli!”, duke shprehur përmes saj kërkesën që kryeministri të largohet nga pushteti dhe të përballet me drejtësinë. Pankarta është një tjetër mesazh i protestuesve ndaj kreut të qeverisë, në një kohë kur demonstratat kanë vijuar për gati dy javë dhe kërkesa kryesore e pjesëmarrësve mbetet dorëheqja e Edi Ramës.

Gjatë protestës së sotme, të rinjtë u grumbulluan fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë, ku janë shënuar edhe momente tensioni.

Protestuesit u vunë flakën karrigeve të vendosura mëngjesin e sotëm nga kryeministri Rama si simbol i ftesës së tij për dialog, një propozim që është kundërshtuar nga pjesëmarrësit në tubim.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb