Shtëpia e Bardhë publikoi sot një seri fotografish nga rezidenca e presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago, ku ai dhe ekipi i tij ndoqën në kohë reale operacionin “Absolute Resolve”, që çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij nga forcat elitare Delta Force në Karakas.


Në imazhe, Trump shihet pa kravatë, me sakko dhe këmishë të bardhë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çdo zhvillimi të aksionit. Në një nga fotot, pranë tij qëndron sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa një tjetër imazh bardhë e zi thekson rëndësinë historike të momentit.
Presidenti Trump përshkroi operacionin si “mahnitës, një punë e jashtëzakonshme, sikur të shikoje një shfaqje televizive”, duke theksuar fokusin dhe përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë gjatë aksionit. Fotot nënvizojnë rolin personal të presidentit në drejtimin dhe mbikëqyrjen e këtij operacioni historik, që ka tronditur skenën politike ndërkombëtare.
