Përpara godinës së Kryeministrisë po mbahet edhe këtë të martë protesta kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec, ku janë mbledhur mijëra qytetarë, aktivistë dhe mbrojtës të mjedisit.
Gjatë tubimit janë shfaqur pankarta të shumta me mesazhe kundërshtuese ndaj projektit. Një prej tyre, që tërhoqi vëmendjen e protestuesve, paraqiste një dialog simbolik mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i shoqëruar me mbishkrimin: “Zaptuan Shqipërinë” apo dhe “Vlora ka historinë e sakrificës, jo cmim për t’u shitur”.
Pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për anulimin e investimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ndërsa nuk kanë kursyer as mesazhet politike. Në përgjigje të thirrjes së kryeministrit për dialog, nga protesta u dëgjua slogani: “Pa dorëheqje, s’ka dialog!”, duke e bërë të qartë qëndrimin e tyre ndaj ftesës së kreut të qeverisë.
