Zjarr apokaliptik ka përfshirë mbrëmjen e sotme mbi 50 magazina që tregtojnë veshje në tregun e “5 Majit” në Tiranë.
Sic shihet nga pamjet, flakët vijojnë të përpijnë cdo gjë, duke e bërë të pashpresë shpëtimin e materialeve që ndodhen brenda magazinave, megjithëse pronarët kanë tentuar të marrin ndonjë gjë në ambientet e tyre.
Në vendngjarje, prej orës 19:00 ndodhen forca të zjarrfikëses, forca të policisë, përfaqësues të pushtetit lokal, por deri më tani duket e pamundur lokalizuar flakët, duke krijuar vatra të reja.
Sipas informacioneve, nuk ka dëme në njerëz, por rreziku mbetet prezent pasi në magazine dyshohet se ka dhe bombola gazi.
Shefi i shërbimit të zjarrfikëseve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, u shpreh për mediat se për shkak të materialeve plastike që ndodhen në magazina, zjarri është përhapur. Goxhaj tha se po tentohet shuarja përfundimtare e vatrës.
Sipas tij, shkaku i zjarrit nuk dihet akoma dhe për këtë do të kryhen analiza e kontrolle më tej për përcaktimin e vatrës së zjarrit.
“Sic e shikoni kjo është një zonë industriale, zjarri është lokalizuar vetëm tek objekti ku ra në fillim por materialet e tij e përcillnin zjarrin dhe pas kësaj ne kaluam në lokalizimin e kësaj vatre duke e rrethuar, duke na ardhur në ndihmë shumë forca zjarrëfikëse nga Elbasani, Vora, etj. Më pas kaluam në planin e dytë duke mos lejuar djegien e të gjithë magazinës. Nga materialet që kanë patur plastikë e veshje, zjarri është favorizuar, nuk ka materiale të rrezikshme në këto objekte”, u shpreh shefi i shërbimit të zjarrfikëseve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj.
Sipas tij, janë mbi 60 forca që janë duke luftuar për shuarjen e vatrës së zjarrit.
