Dita e Bastijës festohet sot në Francë me paradën ushtarake më të vjetër dhe më të madhe në Evropë, në Champs-Élysées në Paris, përpara Presidentit të Republikës Franceze, zyrtarëve francezë dhe mysafirëve të huaj. Si çdo vit, edhe këtë vit, imazhet nga Parisi ishin jashtëzakonisht mbresëlënëse.
Më shumë se 5,600 ushtarë dhe qindra automjete nga shkollat kryesore ushtarake, regjimentet e Ushtrisë, Marinës, Forcave Ajrore, Xhandarmërisë, Komandës së Burgjeve, Doganave, Policisë dhe Brigadës së Zjarrfikësve parakaluan sot në Champs-Élysées. Siç dikton tradita, parada u hap me Forcat Ajrore, me 60 avionë francezë dhe 5 avionë të huaj (përfshirë avionë luftarakë evropianë dhe një F18 zviceran) që kaluan qiellin parizien.
“Njohje, besim dhe krenari për ushtritë tona që mbrojnë lirinë tonë”, shkroi Presidenti Emmanuel Macron në X, duke ndarë disa foto nga parada ushtarake.
Reconnaissance, confiance et fierté pour nos armées qui défendent notre liberté. pic.twitter.com/qSOOGM0nD7
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) July 14, 2025
Dita Kombëtare e Francës e quajtur edhe Dita e Bastijës -festohet më 14 korrik. Ajo u krijua si një festë kombëtare vjetore në korrik 1880, për të përkujtuar sulmin ndaj Bastijës më 14 korrik 1789, një pikë kthese në Revolucionin Francez dhe një simbol i fundit të monarkisë absolute, si dhe Ditën e Federatës më 14 korrik 1790, një simbol i bashkimit të kombit.
“Centaurët”, automjetet e blinduara të ndërhyrjes së xhandarmërisë, parakaluan për herë të parë në Champs-Elysees, njoftoi xhandarmëria kombëtare në X.
(BalkanWeb)
