Franca do të furnizojë Ukrainën me raketa shtesë tokë-ajër dhe qindra automjete të blinduara nga rezervat e saj, ka njoftuar ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu. Dërgesat e materialeve, disa prej të cilave janë mbi 40 vjeçare, do të fillojnë këtë verë.

Duke folur për gazetën La Tribune Dimanche, Lecornu tha se ai ishte udhëzuar nga presidenti francez Emmanuel Macron të dilte me një “paketë të re ndihme” për të ndihmuar përpjekjet e Kievit në luftën kundër Rusisë.

Furnizimet do të përfshijnë pajisje që janë përdorur më parë nga ushtria franceze, por “që janë ende funksionale”, si dhe një “grumë të re raketash Aster 30” që janë projektuar për të kapur dronët, dhe raketa lundrimi me rreze veprimi prej 120 km.

“Për të mbajtur një vijë fronti kaq të gjatë, ushtrisë ukrainase i duhen, për shembull, mjetet tona të blinduara, kjo është absolutisht thelbësore për lëvizshmërinë e trupave dhe është pjesë e kërkesave të Ukrainës”, tha ministri.

“Po flasim me qindra për vitin 2024 dhe fillimin e vitit 2025”, sqaroi ai, i pyetur për afatin kohor, duke shtuar se i kishte kërkuar agjencisë qeveritare të prokurimit të mbrojtjes që të përshpejtonte prodhimin e raketave Aster.

Ushtria franceze aktualisht po kërkon të zëvendësojë mijëra transportues personeli të blinduar VAB (Véhicule de l’Avant Blindé) të cilat hynë në shërbim rreth 45 vjet më parë me lloje më të reja APC.

Në shkurt, Macron nënshkroi një pakt të ri sigurie me presidentin ukrainas Vladimir Zelensky, duke premtuar 3 miliardë euro ndihmë ushtarake për Kievin vetëm për vitin 2024.

Megjithatë, marrëveshja dypalëshe e sigurisë është kthyer në një “dhimbje koke buxhetore dhe politike” për qeverinë dhe është “jashtëzakonisht e paqartë” se si do të materializohet premtimi duke pasur parasysh rezistencën publike ndaj shkurtimeve të shpenzimeve dhe ndihmës së mëtejshme për Kievin, raportoi së fundi Le Monde.

Gazeta sugjeroi se për të siguruar 3 miliardë euro, autoritetet franceze do të duhet të “luajnë me dokumentet” ose të fryjnë vlerën e pajisjeve të përdorura të dhuruara në Kiev.

Macron ka deklaruar më parë se Perëndimi “do të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar që Rusia të fitojë këtë luftë”.

Moska ka paralajmëruar vazhdimisht se dërgesat e armëve në Kiev nga aleatët perëndimorë nuk do të ndryshojnë rrjedhën e operacionit të saj ushtarak, por vetëm do të rrisin rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb