Rreth 200 mijë persona nga 220 mijë banorët që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarrit gjigant në jugperëndim të Francës, janë rikthyer në banesat e tyre. Prefektja e Girondës, Sophie Broca, njoftoi se 198 mijë persona tashmë janë kthyer, pasi situata në terren ka shënuar përmirësim dhe operacionet për vënien nën kontroll të flakëve kanë avancuar.
Megjithatë, disa zona mbeten ende të boshatisura. Banorët e katër komunave, Somos, ku nisi zjarri, si dhe Le Temple, Le Porge dhe Les-Cap-Ferrets, vijojnë të mos jenë kthyer për shkak të rrezikut të mbetur.
Autoritetet paralajmërojnë se, pavarësisht përmirësimit të situatës, rreziku nuk ka kaluar plotësisht. Kreu i Departamentit të Zjarrfikësve të Girondës, Marc Vermoulin, tha se një zjarr i përmasave të tilla kërkon kujdes maksimal edhe kur konsiderohet i kontrolluar.
“Kur themi se zjarri është vënë nën kontroll, kjo nuk do të thotë se është shuar. Do të thotë se nuk po përhapet më tej, por mund të ketë ende shpërthime brenda zonës së prekur”, u shpreh ai. Sipas autoriteteve, ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e një perimetri prej rreth 240 kilometrash, për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Zjarri pyjor, i konsideruar më i madhi në Francë që prej vitit 1949, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke djegur rreth 420 mijë hektarë sipërfaqe brenda një jave dhe duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga zonat e prekura.
🔥🚒 Le feu en Gironde est stabilisé, mais pas encore totalement maîtrisé. Les pompiers mènent un travail de longue haleine, demandant patience et précision. Il a fallu deux ans pour éteindre l’incendie de Landiras en 2022. Pourquoi autant de temps ? Réponse dans #LE20H pic.twitter.com/yNhggfnU2d
— TF1Info (@TF1Info) July 31, 2026
