Protesta e kësaj të shtune në Tiranë, ku mijëra qytetarë dhe studentë kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare. France24 i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në kryeqytetin shqiptar, duke raportuar për tubimin kundër qeverisë dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.

“Protesta të reja antiqeveritare kanë shpërthyer në kryeqytetin shqiptar, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama”, shkruan media franceze.

Në artikullin e saj, France 24 thekson se demonstratat, të cilat nuk kanë një organizim apo drejtues të vetëm, nisën në muajin maj në mënyrë paqësore, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin e perceptuar dhe kundërshtimi ndaj një projekti hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore.

Media franceze vëren se që nga mesi i tetorit protestat janë zgjeruar dhe janë shndërruar në një valë tubimesh, disa prej të cilave janë shoqëruar me dhunë. Përveç kundërshtimit ndaj qeverisë, në qendër të pakënaqësisë janë edhe problemet e sistemit shëndetësor dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë në Shqipëri.

Duke iu referuar protestës së kësaj të shtune, France 24 raporton se tubimi nisi paqësisht, nën reshjet e shiut, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Më pas, dhjetëra të rinj hodhën gurë dhe bomba molotov drejt policisë, ndërsa u vunë flakën edhe kazanëve të mbeturinave.

Sipas medias franceze, policia ndërhyri me autobotë uji për të shpërndarë protestuesit.

Artikulli ndalet edhe te masat e ndërmarra nga qeveria, duke raportuar se të mërkurën autoritetet njoftuan ashpërsimin e ndëshkimeve për protestuesit e përfshirë në akte dhune, me gjoba që mund të arrijnë deri në 5,500 euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb