Francezët kërkojnë të vënë yllin e tretë në fanellë, por para se të shkojnë të përballen kundër Argjentinës në finale, do të duhet të kalojnë një kundërshtar si Maroku.
Është pak a shumë një derbi për futbollistët e Francës, pasi 13 lojtarë kanë rrënjët e tyre shumë të thella afrikane. Pothuajse të 13 francezët afrikanë të Didier Deschamps kanë lindur dhe janë rritur në Francë, të gjithë janë krenarë për origjinën e tyre, shumë prej tyre ruajnë shijet dhe zakonet afrikane, nga ushqimi, muzika e më shumë, por ata janë francezë dhe ndihen të tillë, duke kënduar himnin marsejez.
Por edhe disa futbollistë marokenë kanë lindur diku tjetër. Portieri Bounou në Kanada, Cheddira në Itali, disa në Holandë e kështu me radhë. Në “Katar 2022”, duke lënë mënjanë Marokun, Afrika tashmë ka marrë njëfarë kënaqësie që në fazën e parë. Tunizia mundi Francën dhe Kameruni mundi Brazilin.
Kombëtarja franceze multietnike daton larg. Raoul Diagne ishte lojtari i parë me ngjyrë që luajti për Francën në vitet 1930. Lista e vendeve afrikane që flasin frëngjisht, shtete në të cilat flitet ende frëngjishtja, është shumë e gjatë: Kameruni, Bregu i Fildishtë, Mali, Algjeria, Tunizia dhe vetë Maroku.
Rreth 150 milionë afrikanë flasin, kuptojnë ose lexojnë frëngjisht. Lidhja gjuhësore mbetet e fortë, pavarësisht se kolonitë nuk ekzistojnë më. Në shekullin e 20-të, Maroku ishte protektorat francez për një kohë të gjatë dhe u bë shtet autonom vetëm në vitin 1956.
(BalkanWeb)
