Policia franceze ka sekuestruar 72 armë zjarri dhe më shumë se 3,000 fishekë nga shtëpia e Alain Delon në Ducey, Franca qendrore, thanë të martën prokurorët e Montarzis.

I njëjti përditësim foli për armët e qitjes, kryesisht kategorinë A dhe B, si dhe armët kolektive. Në fakt, nga hetimet paraprake rezultoi se aktori i njohur “nuk kishte asnjë autorizim që i lejonte të mbante armë zjarri”. Me këto të dhëna vijon hetimi ndër të tjera për akuzën e “marrjes dhe mbajtjes pa leje të armëve të kategorisë A, B dhe C”. Hetuesit në pronën e aktorit 88-vjeçar gjetën edhe një poligon qitjeje.

Ky zhvillim erdhi pas fillimit të një hetimi tjetër prokurorial, lidhur me marrëdhëniet e tensionuara të Alain Delon me fëmijët e tij. Ky kontekst, i kombinuar me shqetësimet për gjendjen e brishtë të shëndetit të aktorit, bëri që, sipas Le Parisien, prokuroria të shqyrtonte në detaje çështjen e armëmbajtjes së aktorit francez.

Në fakt, vlen të theksohet se në një intervistë të fundit për Elle, Anouska Delon, vajza e aktorit, ka shpjeguar se ajo “shkon gjithmonë me truprojën e saj” në shtëpinë e babait të saj, për shkak të pasionit të tij për armët, duke shtuar se ai mban një “koleksion mjaft i madh armësh”. Anouska Delon shtoi gjithashtu se vëllezërit e saj, kur ndodhen atje, “shëtisin të armatosur në shtëpi”, duke besuar se janë “në Perëndimin e Egër”.

Sipas Le Parisien, kjo dëshmi e shtyu prokurorin e Montarzis të hapte një hetim të ri, i cili rezultoi në sekuestrimin e “arsenalit” të Alain Delon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb