Shqipëria cilësohet si vend pjesërisht i lirë në raportin më të fundit vjetor të organizatës Freedom House me seli në Uashington.
Shqipëria në raportin e këtij viti renditet me 69 pikë, 28 pikë në fushën e të drejtave poliike dhe 41 pikë në fushën e lirive civile. Edhe në raportin e fundit, korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme të mëdha në vendin tonë thuhet në raport.
Edhe Kosova renditet në listën e vendeve pjesërisht të lira në raportin e Freedom House, megjithatë, Kosova ka shënuar një përmirësim të vogël në Raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë.
Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike.
Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse tërë kohën nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor. Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime. Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.

