Zjarret, plaçkitjet dhe përplasjet me policinë që tronditën Francën gjatë fundjavës kanë përhapur shqetësimin në të gjithë Evropën. Frika se dhuna mund të përsëritet në vende të tjera po rritet, ndërsa kontinenti përballet me tensione sociale, pakënaqësi për koston e jetesës dhe një kalendar të ngjeshur zgjedhor në vitin 2027. Sipas raportimit të Bloomberg, protestat në Francë, ku morën pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz, nisën me kërkesa për paga më të mira, shërbime publike më cilësore dhe lehtësim të barrës ekonomike. Por demonstratat u përshkallëzuan në trazira të shoqëruara me zjarrvënie, plaçkitje dyqanesh dhe përleshje me policinë.

Ngjarjet kanë ngritur alarmin në qarqet politike dhe ekonomike, pasi masat shtrënguese, të ardhurat e ndenjura dhe ndjenja e pabarazisë sociale po krijojnë një klimë të tensionuar. Shqetësimi lidhet veçanërisht me mundësinë që episode të ngjashme të përsëriten gjatë fushatave zgjedhore në të paktën gjashtë vende evropiane gjatë vitit të ardhshëm. Franca ka një traditë të gjatë protestash masive, por intensiteti i sulmeve ndaj ndërtesave publike, bizneseve dhe dyqaneve ka nxitur paralajmërime për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve sociale.

Bernard Chanan, drejtues i kompanisë së sondazheve Elabe, paralajmëron se dhuna ekstreme mund të kthehet në një fenomen të përsëritur. Ai e ka cilësuar situatën si të paprecedentë në historinë moderne franceze, duke iu referuar përmasave të trazirave në prag të zgjedhjeve presidenciale. Presidenti Emmanuel Macron ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër ndaj trazirave, por përleshjet në rrugët e Parisit vijuan edhe pasi ai iu drejtua qytetarëve me një fjalim televiziv të dielën në mbrëmje.

Shqetësimet shtohen edhe nga greva e re e njoftuar nga sindikatat franceze për 5 nëntor, e cila mund të intensifikojë më tej konfliktet sociale. Ndërkohë, Evropa po i afrohet zgjedhjeve të vitit 2027 mes përçarjeve politike dhe pasigurisë ekonomike. Trazirat në Francë kanë rikthyer në vëmendje rrezikun që pakënaqësitë sociale të përshkallëzohen në përplasje të dhunshme, duke e bërë stabilitetin politik një shqetësim përtej kufijve francezë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: