Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot pasdite ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë në qarqe, por vendi i takimit që ishte caktuar në selinë e PS-së mund të ndryshojë për shkak të protestës së paralajmëruar para saj.
Protestuesit njoftuan se do të grumbullohen sot para selisë së Partisë Socialiste, pikërisht në orarin kur pritet të mbërrijnë ministrat dhe drejtuesit politikë socialistë. Ata paralajmëruan gjithashtu se do të kenë me vete edhe vezë, si formë kundërshtimi ndaj qeverisë.
Në këto kushte, diskutohet mundësia që Rama të ndryshojë vendin e mbledhjes, i cili deri më tani mbahet diskret, për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me protestuesit. Disa burime thonë se takimi është zhvendosur në Pallatin e Brigadave, por asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Mbledhja vjen pak ditë pas takimit dyditor në Pogradec, ku në fokus ishte organizimi i strukturave socialiste për sezonin e ri politik, si dhe koordinimi mes drejtuesve politikë, ministrave dhe strukturave të partisë në territor.
Pas dy ditësh diskutimesh në Pogradec, takimi i sotëm në Tiranë pritet të shërbejë për kalimin në një fazë më konkrete të organizimit politik dhe elektoral të Partisë Socialiste, me përcaktimin e hapave të mëtejshëm në terren.
Mbledhja zhvillohet në kushtet kur prej tre muajsh mijëra qytetarë protestojnë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës
