Shqipëria u trondit dje nga aksidenti makabër që ndodhi në Lushnje, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një i tretë.

Gazetarja Klodiana Haxhiar raporton për BalkanWeb se familja e autorit Nikoll Radaçi është larguar nga lagja nga frika e hakmarrjes.

Pavarësisht denoncimeve, gjobave dhe masave të vazhdueshme për drejtim mjeti dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 57-vjeçari Nikoll Radaçi që lëvizte me shpejtësi të lartë dhe nën efektin e alkoolit nuk u ndal as nga tragjedia që shkaktoi. Shpejtësia e lartë me të cilën ai lëvizte me makinë në një zonë të populluar ndërpreu lojën e 3 të miturve dhe jetën e dy prej tyre, duke i përplasur brutalisht teksa po luanin në trotuar.

Nga pamjet e sigurisë dhe nga dëshmitë e banorëve, rezulton se 57-vjeçari Nikoll Radaçi pas aksidentit që shkaktoi u largua nga vendngjarja, pa e kthyer kokën pas për atë që shkaktoi, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Më tej, pas ngritjes së pikave të kontrollit në Durrës, u konstatua nga patrulla e Policisë, të cilët e ndaluan dhe vunë në pranga. Sipas Policisë së Durrësit, nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se Nikoll Radaçi e drejtonte automjetin në gjendje të dehur, ku përqindja e alkoolit nga testi i parë rezultoi 0.73 mg/l dhe nga testi i dytë 0.70 mg/l, ndërsa iu mor edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.
57-vjeçari Nikoll Radaçi banor i së njëjtës lagje me familjet e fëmijëve që aksidentoi, rezulton se është ndëshkuar në vitin 2020 për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Banorët e lagjes numër 15 në Durrës thanë për Neës24 se e kanë denoncuar disa herë 57-vjeçarin, për mënyrën sesi qarkullonte, duke u ndjerë të rrezikuar. Më e keqja ndodhi këtë të diel, kur për shkak të tij dy fëmijë 10 dhe 12 vjeç ndërruan jetë tragjikisht, ndërsa një 8-vjeçar, vëllai i njërit prej viktimave ndodhet ende në spital. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë të ditur se i mituri e ka kaluar rrezikun për jetën dhe do të transferohet në pavijon, ku do të trajtohet për plagët e marra, duke u bërë shpresë për prindërit e tij.
Policia e Durrësit bën të ditur se 57-vjeçari Nikoll Radaçi do të përballet me drejtësinë për veprat penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb