SHBA-të mbeten me “gishtin në këmbëz”, ndërsa nervozizmi në Iran intensifikohet lidhur me një sulm të mundshëm amerikan.
Zyrtarë të sigurisë në SHBA dhe perëndimorë i thanë gazetës The New York Times se po monitorojnë shenjat gjithnjë e më shqetësuese se Irani mund t’u urdhërojë forcave shiite të kryejnë sulme terroriste hakmarrëse kundër objektivave amerikane në Evropë dhe Lindjen e Mesme, nëse Donald Trump urdhëron sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit.
Ekziston shqetësim midis zyrtarëve të inteligjencës dhe antiterrorizmit se Teherani mund të rekrutojë Huthit në Jemen për të rifilluar sulmet ndaj anijeve perëndimore në Detin e Kuq. Ekziston gjithashtu shqetësim në Evropë se qelizat e fjetura të Hezbollahut apo edhe al-Kaeda ose grupet e lidhura mund të urdhërohen të sulmojnë bazat ose ambasadat amerikane. Një zyrtar i lartë amerikan tha se analistët qeveritarë po monitoronin “një numër” aktivitetesh dhe planesh, por se nuk ishte e qartë se çfarë mund të shkaktonte një sulm. Agjencitë e inteligjencës kanë identifikuar prova të shtuara në diskutimet e përgjuara të një xhihadi global.
Opsionet ushtarake amerikane variojnë nga sulme të kufizuara ndaj objektivave ushtarake deri në përmbysjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, poor kjo mund ta bëjë regjimin iranian ta shohë sulmin si një kërcënim ekzistencial.
“Irani mund të veprojë nëpërmjet ndërmjetësve për të kryer sulme terroriste që do të rrisnin koston e çdo fushate ushtarake amerikane”, tha Colin P. Clark, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, një firmë inteligjence dhe konsulence në Nju Jork.
Irani mund ta përshkallëzojë konfliktin me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin dhe të mos e frenojë hakmarrjen e tij siç bëri gjatë sulmeve qershorin e kaluar ose pas vrasjes së Gjeneral Qassem Soleimani, kreut të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, nga ushtria amerikane në vitin 2020.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë gjithashtu se një sulm ndaj Iranit do të ishte dukshëm më kompleks sesa operacioni ushtarak i kryer në janar në Venezuelë që synonte kapjen e Presidentit Nicolas Maduro dhe potencialisht mund të përfshijë Shtetet e Bashkuara në një konflikt të zgjatur.
“‘Boshti global i rezistencës’ i udhëhequr nga Irani ka pësuar një rënie të ndjeshme në zonat që kufizohen drejtpërdrejt me Izraelin, por mbetet i fortë në zona të tilla si Iraku dhe Jemeni, dhe madje edhe më larg, ku prania e tij ka qenë më e vogël, por ende e rëndësishme”, tha William F. Wechsler, drejtor i programeve të Lindjes së Mesme të Këshillit Atlantik dhe një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit për politikën kundër terrorizmit.
