Autoritetet shëndetësore në Pensilvani kanë konfirmuar vdekjen e pestë të lidhur me shpërthimin e fruthit në këtë shtet, ndërsa epidemia ka arritur nivele që Shtetet e Bashkuara nuk i kanë parë prej rreth 35 vitesh. Viktima e fundit ishte një person i pavaksinuar që jetonte në Qarkun Lancaster, njoftoi Departamenti i Shëndetësisë i Pensilvanisë, pa dhënë detaje të tjera rreth identitetit apo rrethanave të vdekjes.
Lancaster është i njohur për komunitetin e madh Amish, një grup i krishterë tradicional, ku normat e vaksinimit janë dukshëm më të ulëta krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Sipas autoriteteve shëndetësore, katër viktima të tjera nga fruthi janë regjistruar në Pensilvani që nga gushti. Mes tyre janë dy foshnje që ishin shumë të vogla për t’u vaksinuar, një 18-vjeçar dhe një person 40-vjeçar. Në të gjithë SHBA-në, që nga fillimi i vitit 2026, janë raportuar më shumë se 3,650 raste të konfirmuara laboratorikisht me fruth, ndërsa mbi 900 prej tyre janë regjistruar vetëm në Pensilvani. Këto shifra përfaqësojnë nivelet më të larta të rasteve në vend që nga viti 1991.
Fruthi ishte shpallur i eliminuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000, pas dekadash vaksinimi, por sëmundja është rikthyer vitet e fundit, në një kohë kur normat e vaksinimit kanë rënë në disa komunitete dhe është shtuar mosbesimi ndaj institucioneve shëndetësore.
Çështja është shoqëruar edhe me debate politike, veçanërisht për qëndrimet ndaj vaksinimit të Sekretarit të Shëndetësisë në administratën e Presidentit Donald Trump, Robert F. Kennedy Jr., i cili është kritikuar nga zyrtarë dhe ekspertë të shëndetësisë për deklaratat e tij të mëparshme mbi vaksinat dhe rrezikun e fruthit. Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë temperaturë të lartë, probleme me frymëmarrjen dhe skuqje të lëkurës. Në raste më të rënda, sëmundja mund të çojë në komplikacione si pneumonia dhe encefaliti, të cilat mund të jenë kërcënuese për jetën. Përpara zhvillimit të vaksinës në fillim të viteve 1960, fruthi shkaktonte qindra vdekje të fëmijëve çdo vit në SHBA. Sëmundja vazhdon të shkaktojë dhjetëra mijëra viktima në mbarë botën çdo vit.
