Emisioni investigativ Vetting, News24
FSDKSH, pjesë e dështimit të sistemit shëndetësor
Nga viti 2015 deri në vitin 2025, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka ndryshuar 10 drejtues midis skandaleve që ka kapluar këtë institucion. Drejtuesi i fundit në këtë institucion Spartak Zekja është vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës ndërkohë që vendin e tij e ka zënë Arti Papajani.
Nga raportet zyrtare FSDKSH- ja vazhdon të ketë probleme të shumta me pagesat ndaj koncesioneve, recetën elektronike dhe përditësimin e barnave të rimbursueshme. Auditimi ka shqyrtuar kryesisht vitin 2024, duke analizuar edhe zhvillimet e viteve 2023 dhe periudha të mëparshme kur është e nevojshme për krahasim.
Raporti evidenton se në vitin 2023, për koncesionin e Kontrollit Mjekësor Bazë (Check- up), janë paguar 876 milionë lekë për 475 mijë kontrolle të planifikuara, ndërkohë që realisht janë kryer 467 mijë kontrolle.
“Të gjitha këto kontrata kanë probleme, disa me nevojën, por edhe aty ku punojnë mirë dhe aty”, u shpreh eksperti Dasho.
Megjithëse në vitin 2023 u rrit numri i kontrolleve krahasuar me vitin 2022, u rritën gjithashtu sëmundjet kronike, recetat e rimbursuara dhe shtrimet në spital, çka sipas auditimit tregon se efekti real i kësaj mase nuk ka qenë i dukshëm në uljen e sëmundshmërisë. Kontrata e këtij koncesioni është firmosur në janar 2015 dhe bazohet në pagesë fikse vjetore për 475 mijë kontrolle, pavarësisht realizimit real. Për vitin 2024, auditi ka zbuluar dobësi në monitorimin e kontratave koncesionare.
Në rastin e Check- up, FSDKSH- ja realizon pagesat duke u mbështetur kryesisht në të dhëna statistikore dhe pa administruar dokumentacion të plotë mbi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale Gjithashtu mungon dokumentimi i sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm dhe mekanizmave për raportimin e problematikave.
Në koncesionin e laboratorëve për vitin 2024 janë kryer 4,6 milionë ekzaminime me një kosto totale 1,89 miliardë lekë, që përbën 102.6% të tavanit buxhetor të planifikuar.
“Unë i kam quajtur 4 kontratat koncesionare, i kam quajtur një vjedhje dhe futje duarve në xhepat e pacientëve”, tha Dr .Dasho.
Kjo tregon tejkalim të buxhetit. Për paketat shëndetësore, auditimi evidenton se nga viti 2020 deri në vitin 2024 nuk është bërë rishikim i plotë i përmbajtjes dhe çmimeve për shumicën e paketave, përveç dializës dhe fistulës. Askush nuk i ka ndjekur si duhet këto kontrata, raportet nuk janë të sakta dhe ka dyshime për manipulime në numra për të marrë më shumë para.
Pacientët kanë dalë të humbur sepse shërbimet janë grumbulluar te disa kompani private, disa analiza vonohen ose nuk bëhen fare, dhe njerëzit detyrohen të shkojnë vetë te privatët duke paguar nga xhepi. Kjo ka rritur kostot për familjet dhe ka përkeqësuar shëndetin e disa njerëzve për shkak të vonesave.
“Kam bo check up- in, para 100 herë, asnjë gjë, më dalin ato analizat sikur jam hekur, atë që e ka ajo Vilma Nushi,” shprehet pacienti Nazmiu. Koncesioni i Check-Up ashtu si koncesionet e tjera ka marrë pagesa për analiza të pakryera, ndërkohë që një pacienti nga Onkologjiku e ka nxjerrë me parametra shumë të mirë shëndetësorë.
Koncesioni i “Check-Up” është nënshkruar në vitin 2015 nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj për kontrollin mjekësor bazë të qytetarëve nga 40 deri në 65 vjeç. Kontrata u fitua nga “3P Life Logistic”, e lidhur me biznesmenen Vilma Nushi dhe ka një afat 10- vjeçar. Sipas marrëveshjes, koncesionari kryen kontrollet mjekësore dhe paguhet nga shteti përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Çdo vit janë planifikuar rreth 475 mijë kontrolle.
Ky koncesion ka qenë shpesh objekt kritikash, pasi pagesat janë bërë sipas numrit të kontrolleve të planifikuara dhe jo gjithmonë sipas kontrolleve që janë kryer realisht. Megjithatë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka përgjegjësi financiare dhe administrative me rëndësi të lartë edhe në sektorin e barnave të Onkologjikut.
Mungesat e barnave tumorale, një problem që përsëritet prej vitesh
Që nga viti 2020 e deri më sot, pacientët me kancer hasin probleme të rënda pasi nuk u sigurohen barnat nga spitalet. Pacienti Nazmi Picirri rrëfen se një nga barnat kryesore rezulton shpesh me mungesa.
“Flakoni, po flakoni është kryesori që duhet ta gjenim në shtet, unë i kam blerë për 4 muaj, më kanë ngelur në shtëpi për një muaj”, thotë pacienti Picirri. Në total rezultojnë 49 raste kur barnat janë sjellë me vonesë, shpesh pa asnjë dokument që të justifikojë arsyen e vonesës. Këto barna nuk janë ilaçe të zakonshme, por barna citostatike dhe terapi target, që përdoren për pacientë me kancer. Trajtimi me to bëhet me cikle të rregullta dhe çdo ndërprerje ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e sëmundjes. Megjithatë, vonesat janë përsëritur nga viti në vit. Në vend që të trajtohen si raste të veçuara, ato shfaqen si një problem i vazhdueshëm.
“A e di çfarë sëmundje është kjo mo? Mos i raftë kujt kjo sëmundje! Kjo është sëmundje kanceroze. Ne e dimë se ne ca kena, por ti si shtet bëje të pamundurën, kena Kosovën që i çon në Turqi”, shprehet Nazmiu, duke sugjeruar që të gjendet një alternativë për trajtimin e sëmundjes. Kontratat mes spitalit, fondit dhe importuesve parashikojnë penalitete kur barnat nuk furnizohen në kohë.
Vlera totale e penaliteteve të llogaritura për vonesat arrin rreth 49 milionë lekë. Por këto penalitete nuk janë arkëtuar. Pra, importuesit kanë vonuar furnizimin ndërsa institucionet shëndetësore nuk kanë zbatuar masat ndëshkuese që janë parashikuar në kontratë. Nga analiza rezulton se një pjesë e konsiderueshme e barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk janë importuar për periudha të gjata. Ka barna që, edhe pse janë të regjistruara dhe të miratuara, nuk kanë hyrë në tregun shqiptar për muaj apo vite. Ka barna që nuk kanë alternativë terapeutike. Një prej tyre është Daratumumab, që përdoret për mielomën multiple.
Në raste të tilla, mungesa e barit nuk është thjesht vonesë, por ndërprerje e vetme e mundshme e trajtimit. Janë konstatuar mangësi në regjistrimin dhe dokumentimin e plotë të hyrjedaljeve të barnave në inventar. Nuk ka një mekanizëm të unifikuar që të sinjalizojë në kohë reale mungesën e një bari dhe të aktivizojë masa emergjente për zëvendësim.
Në disa raste, barna të caktuara janë siguruar përmes donacioneve, jo përmes kontratave të zakonshme të furnizimit. Sipas ekspertit Pecnikaj, në Shqipëri afatet për rimbursim janë shumë të gjata, duke shprehur shqetësimin për mungesën e tyre. “Ajo që është më e dhimbshmja është situate me barnat për Onkologjikun.
Në Bashkimin Europian duhen nga 3 në 24 muaj që të futet në listën e rimbursimeve. E dini se sa është kjo në Shqipëri? Mbi 10 vjet”, tha eksperti Pecnikaj. Të dhënat tregojnë se vonesat dhe mungesat nuk janë episodike. Ato shfaqen në 2021, në 2022, në 2023 dhe në 2024.
Pra nuk kemi një problem të rastësishëm, por një model që vazhdon. Kur një problem përsëritet për katër vite radhazi, ai nuk është më aksidental. Trajtimi onkologjik nuk është fleksibël dhe nuk mund të shtyhet sipas mundësisë së furnizimit. Çdo cikël ka kohë të caktuar. Çdo ndërprerje ndikon në efektivitetin e terapisë.
Raporti nuk jep të dhëna për pasoja individuale 11 klinike, por fakti që ciklet janë shtyrë apo ndërprerë për shkak të mungesës së barnave tregon një rrezik real për pacientët. Sipas ekspertit farmaceutik Ilir Pecnikaj, një terapi për të sheruar një pacient, në komunitetin europian është 50 mijë euro dhe kjo nuk është shumë për vendin tonë.
“Ne duhet ti bëjmë tani ato krahasimet me ato që na ikin nga xhepi… Po ne po bëjmë gjithë këtë luftë për Tunelin e Llogarasë që thanë u vodhën 50 milionë euro. Ja ku dolën 1000 pacientë të sheruar”, shprehet eksperti Pecnikaj.
Në 17 korrik 2024, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave me kryetar deputetin e Partisë Socialiste Eduart Shalsi u zotuan se do t’i jepej zgjidhje këtij problemi në raportimin ndaj këtij Komisioni nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Vetting” i bëri një kërkesë për koment Kuvendit të Shqipërisë për arsyet se pse nuk janë marrë masa nga Kuvendi për problemet te Onkologjiku, por deri në publikimin e këtij materiali nuk pati asnjë reagim.
