BERAT

80 familje në fshatin Banaj në bashkinë Dimal jetojnë prej më shumë se 25-vjetësh në kushte mizerabël. Rrugët e fshatit janë me gropa me ujë e llucë dhe mungon ndriçimi, koshat etj. Banorët shprehen se ata jetojnë në kushte mjerane, si në mesjetë. Në dimër-pohojnë ata- gjendja rëndohet më tepër për shkak të baltës e llucës që mbizotëron në të gjitha rrugët dhe fëmijët ikin dhe vijnë çdo ditë në shkollë e në kopsht me këmbë të lagura.

“Shteti po na detyron të ikim natën nga fshati ku kemi lindur dhe jemi rritur pasi kushtet janë skandaloze. Fshati Banaj është lënë në mëshirë të fatit, këtu nuk është investuar asnjëherë që prej vitit 1980. Në fshatin Banaj mbizotëron balta dhe gropat me ujë në dimër dhe pluhuri që e mbulon fshatin si re e bardhë në behar”,-pohojnë banorët.

Ata shprehen se bashkia e quan këtë fshat si “lagjia e demokratëve” dhe se kjo është arsyeja e mungesës së investimeve pasi bashkia Dimal-siç pohojnë ata-e ka ndarë fshatin më dysh, sikur ata të ishin armiq të popullit.

“S’na është ndarë balta nga këmbët, ne taksat i paguajmë të gjitha se po mos ti paguajmë bashkia na sjell me vrap punonjësit për të na paralajmëruar se do kemi penalitete për vonesat. Nga viti 2017 ne na janë dyfishuar taksat e bashkisë, nga 102 mijë lekë (të vjetra) që paguanim në vit kanë shkuar 192 mijë lekë (të vjetra).Ne paguajmë taksa për kosha, për pastrim, për gjelbërim, për rrugë, për çdo gjë. Ku shkojnë lekët e taksave tona kur këtu në fshat nuk është investuar asnjëherë për asgjë. Për çfarë arsye na u rritën taksat kur ne nuk kemi asnjë shërbim nga bashkia?”-,pohojnë banorët, të cilët ankohen edhe për mungesës prej vitesh të kanaleve vaditëse.

“Kanali vaditës është rikonstruktuar në vitin 2022 dhe vlera e tij ka shkuar 157 milionë euro, por asnjëherë nuk është vënë në funksion dhe ne vadisim edhe sot me mjete primitive. Të gjithë kemi investuar, duke shtrirë zorra e tubacione plastike private, për të mundësuar sjelljen e ujit nga lumi drejt tokave e për të vaditur. Ky kanal vaditës është ndërtuar si vepër arti në vitin 1956 por prej vitit 2002 ai nuk funksionon më si i tillë. Kanali riparohet çdo 3-4 vjet nga bashkia me vlera kolosale por se kuptojmë pse e riparojnë kur nuk ka pikë uji në të”-shprehen banorët.

Banorët e fshatit Banaj pohojnë se ata nuk kanë ku të ankohen pasi sa herë që kanë shkuar në bashkinë Dimal kryetarja nuk del t’i presë asnjëherë por nxjerr sekretaren që u kërkon ta bëjnë ankesën me shkrim, ankesë që s’ka marrë asnjëherë përgjigje nga bashkia. Kryetarja e bashkisë-pohojnë ata-vjen kot në fshat dhe më pas bën reklama në Facebook e TikTok për rrugët por rrugët në të vërtetë janë në gjendje skandaloze. Duke apeluar për ndihmë për përmirësimin e gjendjes, ata pohojnë se i vetmi investim i bashkisë në Banaj është hedhja çdo vit e një makinë me “baltë” në disa rrugë të fshatit, sa për t’u hedhur hi syve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb