Personi që shihni në foto është Bujar Sefa, që u arrestua në Dubai dhe do të ekstradohet drejt Shqipërisë ndërsa akuzohet se është pjesë e grupit të trafikut të ‘Rrajave’. Ai ishte për gati 2 vite e ca në kërkim, ndërsa akuzohet se ishte pjesë e trafikut dhe kultivimit të drogës në malësinë e Krujës.
“Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë, kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:
-B. S. alias B. X., 39 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë. Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.”, sqaron policia.
