Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur këtë të mërkurë një tjetër procedurë prokurimi pas parkut “misterioz” të pak javëve me parë.

Vlera e fondit limit është rreth 1.7 milionë euro dhe objekt i kontratës është “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet aplikimit të modeleve inovative për përmirësimin e shërbimeve utilitare publike”.

Në raportin teknik që këtë herë shoqëron procedurën sqarohet se bëhet fjalë për instalime fotovolatike dhe llampa LED në ndriçimin rrugor e zona publike por edhe këtë herë emërtimi i saktë i vendit se ku do të zbatohet projekti mbahet sekret.

Fondi në preventivin e publikuar llogarit njësitë që do të duhen për zbatimin e projektit por nuk ka dhënë detaje për institucionet që do të jenë pjesë e tij apo ku ndodhen hapësirat publike që do të jenë pjesë e tij. “Ky investim shtrihet ne zona dhe hapësira publike” thuhet në dokument.

Sipas FSHZH në kuadër të përmirësimit të eficiencës së energjisë, por edhe si një synim për të reduktuar varësinë nga energjia elektrike e cila prodhohet nga burime jo të rinovueshme, është analizuar dhe vlerësuar ndërtimi i disa sistemeve për prodhimin e energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike, si dhe ndriçimi rrugor në investime të zonave të ndryshme i cili do të mundësohet nëpërmjet ndriçueseve LED solar. Në këtë mënyre synohet të përmirësohet eficienca energjetike por edhe ulja e emetimeve të CO2 në atmosferë.

“Zbatimi i këtij projekti synon të promovojë dhe nxisë uljen e varësisë nga furnizimi me energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe bërjen sa më shume autonom dhe vetëprodhues nëpërmjet prodhimit të energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike. Impiantet e energjisë diellore do te ndërtohen ne sipërfaqe te sheshta, konkretisht ne soletat (tarraca) e objekteve ose ne ambiente të hapura” nënvizon FSHZH.

Kohëzgjatja e kontratës për operatorin që do të rezultojë fitues nga tenderi i Fondit do të jetë 12 muaj ndërkohë që afati i fundit për ofertat është lënë 13 tetori.

Lidhur me projektin e parkut misterioz me nje fond limit 4.7 milione euro “Monitor” i drejtoi FSHZH një kërkesë për informim për të cilën nuk ka marrë ende një përgjigje./Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb