Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas ftesës zyrtare që Shqipëria ka marrë nga Presidenca Daneze për të paraqitur Pozicionin Negociues për Grupkapitullin 5, që përfshin “Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”.

Në një deklaratë publike, Spiropali e cilësoi këtë hap si një moment të rëndësishëm në rrugën integruese të vendit dhe një tjetër tregues të progresit të qëndrueshëm në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se institucionet shqiptare, përfshirë Kuvendin, do të vijojnë të mbështesin maksimalisht këtë proces.

Spiropali shtoi gjithashtu se diplomacia parlamentare do të intensifikohet për të ndihmuar në realizimin e objektivit strategjik “Shqipëria në BE deri në vitin 2030”.

“Dakordësia e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian që Presidenca Daneze të ftojë Shqipërinë për paraqitjen e Pozicionit Negociues për Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” dhe Konferenca Ndërqeveritare që do të mbahet së shpejti, përmbyllin çeljen e të gjithë kapitujve të negociatave.

Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet, kontributet dhe investimet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe kohezionin social e territorial të Shqipërisë, si dhe do të intensifikojë diplomacinë parlamentare për arritjen e objektivit tonë kombëtar për Shqipërinë 2030 në BE, u shpreh ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb