Arti, si një fushë me një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e një vendi, ka një fuqi unike për të transformuar mendjen dhe shpirtin tonë. Duke e konsideruar artin si burim frymëzimi, Credins Bank, edhe këtë sezon të ri të vitit, vazhdon të ndjekë një strategji të mirëfilltë në promovimin dhe mbështetjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike. Kjo bëhet me dëshirën për t’u dhënë hapësirë jo vetëm artistëve të afirmuar dhe talenteve të reja, por mbi të gjitha për të frymëzuar një komunitet më të zhvilluar dhe më të kulturuar.

Me çeljen e ekspozitës më të re, nën titullin “Ngjyrat e Dimrit”, nga mjeshtri i madh i artit figurativ Helidon Haliti, në hollin e Drejtorisë Qendrore të Credins Bank, klientët e bankës kanë mundësinë të eksplorojnë bukuritë e punimeve të këtij artisti të shquar. Pas një suksesi absolut, Haliti rikthehet në Credins Bank me punime të reja, të dimensioneve të ndryshme, të realizuara në vaj mbi kanavacë, të cilat do të jenë të ekspozuara deri në fund të muajit shkurt.

Pikturat reflektojnë individualitetin artistik të Halitit dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë. Çdo vepër përbën një udhëtim në peizazhe mahnitëse, duke sjellë një gamë të pasur ngjyrash. Punimet dallohen për elegancën, thjeshtësinë dhe qartësinë e tyre, ku evidentohen elemente folklorike, historike dhe të traditave kulturore shqiptare.

Arsyeja e zgjedhjes për herë të dytë të veprave të Halitit është karriera e tij e pasur 30-vjeçare, që e rendit atë ndër artistët më të mirë dhe të spikatur të artit figurativ. Me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare të fituara, veprat e tij janë pjesë e koleksioneve private dhe publike, duke e bërë artistin një figurë të dashur dhe të respektuar në artin vizual shqiptar.

Për Credins Bank, mbështetja e vazhdueshme e aktiviteteve artistike është më shumë sesa promovim. Ajo është një obligim moral dhe pjesë e përgjegjësisë korporative për ruajtjen e trashëgimisë dhe identitetit kulturor shqiptar. Duke mbështetur artistët, ngjarjet dhe eventet kulturore, Credins synon të forcojë lidhjet me komunitetin dhe të promovojë diversitetin kulturor.

Kjo qasje për organizimin e eventeve kulturore në ambientet e Credins synon gjithashtu të krijojë një atmosferë tërheqëse dhe motivuese për punonjësit dhe një klimë pozitive për vizitorët dhe klientët e bankës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: