Shpërndanin lëndë narkotike kanabis në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se janë sekuestruar 450 gramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shpërndarje.

Të njëjtat burime bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”.

Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar puna dhe në rrugën “Frataj” është kapur në kushtet e flagrancës shtetasi D. S., duke shitur lëndë narkotike kanabis në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim S. Gj., u kap në kushtet e flagrancës shtetasi E. H, duke tentuar të heqë nga banesa, sendet e kundërligjshme që gjendeshin aty, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi E. H., në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: