Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për shpërndarje droge.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet Y. E., i cili ka tentuar që të largohet, por është arrestuar.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni i koduar “New Start”.
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, i ndjekur prej 1 muaji me metoda speciale të hetimit.
Gjatë operacionit arrestohet në flagrancë 1 shtetas, i cili posedonte lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen në qytetin e Fierit.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Y. E., 26 vjeç, banues në Fier.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që shtetasi Y. E. drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi prej 81 gramësh lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen.
Shtetasi Y. E. ka tentuar t’u ikë punonjësve të Policisë, por është neutralizuar dhe më pas vënë në pranga.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 1 automjet dhe 3 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
